Skip to content

Bie emri i Tonin Vocajt, ja kush do zgjidhet ne krye te policise se shtetit

Emri i Drejtorit të ri të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit pritet të vendoset së shpejti nga kryeministri Edi Rama, ndërsa burime nga Ministria e Brendshme bëjnë me dije se në krye të Policisë pritet të emërohet Skënder Hitaj, duke lënë jashtë garës emrin e Tonin Vocajt, i cili deri më tani ishte përfolur si kandidati favorit.

Në ditët e fundit, disa media raportuan se Tonin Vocaj kishte dalë i pari në renditje dhe ishte kandidati më i mundshëm për të marrë drejtimin e Policisë së Shtetit, por burime pranë Ministrisë së Brendshme bëjnë me dije se emri i tij ka rënë dhe vendimi final pritet të jetë për Skënder Hitajn.

Sipas procedurës, tre emrat më të vlerësuar nga komisioni i posaçëm i janë dërguar ministrit të Brendshëm Besfort Lamallari, i cili më pas ia ka përcjellë listën kryeministrit. Vendimi përfundimtar i takon kryeministrit, i cili përzgjedh një nga tre kandidatët dhe më pas emri miratohet në Këshillin e Ministrave.

Gara për Drejtorin e Policisë së Shtetit

Largimi i Ilir Prodës nga drejtimi i Policisë së Shtetit më 1 mars hapi zyrtarisht garën për zgjedhjen e kryepolicit të ri, një proces që ka kaluar në disa faza, nga aplikimet dhe verifikimet ligjore, deri te intervistat finale për kandidatët.

Në fazën e fundit të garës morën pjesë 14 kandidatë nga radhët e Policisë së Shtetit, të cilët prezantuan platformat dhe vizionin e tyre për drejtimin e institucionit më të lartë të rendit në vend.

Në listën e kandidatëve përfshiheshin:
Afrim Tafa
Alfred Çepe
Arjanit Arapi
Elidon Çela
Gentian Berberi
Gentjan Shehaj
Idajet Faskaj
Lorenc Panganika
Neritan Nallbati
Pëllumb Seferi
Rebani Jaupi
Saimir Boshnjaku
Skënder Hitaj
Tonin Vocaj

Komisioni i posaçëm i përbërë nga zv.ministrja e Brendshme Silva Caka, sekretarja e Përgjithshme Kledia Ngjela dhe kreu i AMP-së Eduart Merkaj kishte në dispozicion 48 orë për të pikëzuar kandidatët dhe për t’i dorëzuar ministrit të Brendshëm listën me tre më të vlerësuarit.

Megjithatë, edhe pse renditja bëhet sipas pikëve, vendimi final nuk është i detyrueshëm sipas renditjes, pasi ministri dhe më pas kryeministri mund të përzgjedhin cilindo nga tre kandidatët e parë.

Procesi u zhvillua edhe nën vëmendje ndërkombëtare, pasi në Ministrinë e Brendshme u panë përfaqësues diplomatikë, përfshirë të ngarkuarën me punë të SHBA-së dhe ambasadorin britanik, çka tregoi rëndësinë që ka kjo garë për drejtimin e Policisë së Shtetit.

Reagon Klevis Balliu: Balluku po tenton të marrë Policinë e Shtetit

Pas lajmeve se Skënder Hitaj pritet të vendoset në krye të Policisë së Shtetit, ka reaguar edhe deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, i cili ka akuzuar qeverinë për manipulim të procesit dhe ndërhyrje politike në përzgjedhjen e drejtuesit të Policisë.

Balliu deklaron se Belinda Balluku po tenton të marrë në kontroll Policinë e Shtetit përmes Skënder Hitajt, të cilin ai e quan njeri të saj dhe e akuzon se ka mbrojtur krimet elektorale në Fier gjatë zgjedhjeve.

Sipas Balliut, sa më shumë pushtet të përqendrohet në duart e një personi, aq më të pasigurt bëhen dëshmitarët dhe aq më e vështirë bëhet një hetim i drejtë.

Deputeti i PD-së i ka bërë thirrje institucioneve të drejtësisë të reagojnë, ndërsa ka akuzuar qeverinë për standarde të dyfishta, duke thënë se qytetarët arrestohen për shuma të vogla, ndërsa sipas tij aferat e mëdha nuk hetohen.

Vendimi final pritet nga Rama

Tashmë, vendimi përfundimtar për Drejtorin e ri të Policisë së Shtetit pritet të merret nga kryeministri Edi Rama, i cili do të përzgjedhë një nga tre kandidatët finalistë dhe më pas emri do të miratohet nga Këshilli i Ministrave.

Nëse konfirmohet emri i Skënder Hitajt, atëherë ai do të marrë drejtimin e Policisë së Shtetit në një moment të ndjeshëm për sigurinë dhe luftën kundër krimit në vend, ndërsa procesi i përzgjedhjes së kryepolicit ka hapur tashmë debate të forta politike.

Published inDIASPORESHQIPERI