Tensionet në Lindjen e Mesme kanë hyrë në një fazë të re përshkallëzimi, pasi Irani ka lëshuar raketa drejt territorit izraelit si kundërpërgjigje ndaj sulmeve të ndërmarra më herët nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli.
Lajmi është konfirmuar nga Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF), të cilat bënë të ditur se sistemet e mbrojtjes ajrore u aktivizuan menjëherë pas identifikimit të kërcënimit. Sirenat e alarmit janë dëgjuar në disa zona të vendit, ndërsa qytetarëve u është kërkuar të ndjekin udhëzimet e Komandës së Frontit të Brendshëm dhe të qëndrojnë në strehime.
Forcat Ajrore izraelite janë angazhuar në operacione për interceptimin e raketave dhe neutralizimin e objektivave në ajër. Autoritetet theksuan se asnjë sistem mbrojtës nuk është i papërshkueshëm, duke kërkuar kujdes maksimal nga popullsia civile.
Zhvillimet vijnë pasi presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, konfirmoi se SHBA po zhvillon “operacione të mëdha luftarake” kundër Iranit në bashkëpunim me Izraelin. Sipas tij, objektivi është eliminimi i kërcënimeve të menjëhershme ndaj interesave amerikane dhe aleatëve të tyre.
Trump paralajmëroi se infrastruktura raketore iraniane do të jetë objektiv i goditjeve dhe akuzoi Teheranin për përpjekje për të rindërtuar programin bërthamor. Ai gjithashtu u bëri thirrje qytetarëve iranianë të qëndrojnë në shtëpi për shkak të rrezikut nga bombardimet, duke paralajmëruar se operacioni mund të ketë edhe kosto njerëzore për trupat amerikane.
