Sipas autoriteteve turke, autori i dyshuar është një nxënës i klasës së tetë, i cili dyshohet se ka marrë armën e babait të tij, ish-punonjës i policisë.
Një tjetër sulm i armatosur ka ndodhur në një shkollë në Turqi, ku si pasojë kanë humbur jetën katër persona, mes tyre një mësues dhe tre nxënës.
Sipas autoriteteve turke, autori i dyshuar është një nxënës i klasës së tetë, i cili dyshohet se ka marrë armën e babait të tij, ish-punonjës i policisë. Ai kishte me vete disa armë dhe municione dhe ka qëlluar në dy klasa të ndryshme.
Pas raportimeve për të shtëna me armë, në vendngjarje mbërritën menjëherë forca të shumta policie dhe ekipe emergjence. Autoritetet konfirmuan viktimat, ndërsa disa persona të tjerë u raportuan të plagosur.
Ministria e Drejtësisë bëri të ditur se është hapur menjëherë hetim për ngjarjen, ndërsa disa prokurorë janë angazhuar për zbardhjen e plotë të rrethanave. Për shkak të ndjeshmërisë së çështjes, është vendosur edhe ndalim publikimi për detaje të hetimit.
Ndërkohë, disa ministra të qeverisë turke janë nisur drejt zonës për të ndjekur nga afër situatën dhe për të koordinuar reagimin institucional.
Kujtojmë se një tjetër sulm i armatosur në një shkollë ndodhi ditën e djeshme në jug të Turqisë, ku një person i armatosur hyri në një shkollë të mesme dhe plagosi dhjëtra persona.

