Një ngjarje tragjike ka tronditur sot qytetin e Ferizajt, ku një nxënës 15-vjeçar ka ndërruar jetë gjatë qëndrimit në ambientet e shkollës së mesme “Kuvendi i Arbërit”.
Sipas informacioneve zyrtare, rreth orës 15:15, autoritetet kanë pranuar njoftim se i riu është rrëzuar pa ndjenja në sallën e edukatës fizike, në rrethana ende të paqarta.
Në vendin e ngjarjes kanë reaguar menjëherë ekipet emergjente, të cilat e kanë transportuar nxënësin me urgjencë në Qendrën Emergjente në Ferizaj. Megjithatë, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, ai nuk ka arritur të mbijetojë.
Policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe, së bashku me hetuesit dhe ekipin krimteknik, ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rastit. Me urdhër të prokurorit të shtetit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, i cili pritet të sqarojë shkaqet e vdekjes.
Rasti ka shkaktuar tronditje të madhe në komunitet dhe në mesin e bashkëmoshatarëve të viktimës.

