Astrologja Meri Gjini ka bërë parashikimin e horoskopit për pjesën e dytë të javës në emisionin “Mes’dritë”, në Vizion Plus, me dyshen e moderatorëve Alma Çelaj dhe Syrjan Rahova.
Ngarkesa emocionale do të vazhdojë, pasi kemi hyrje të forta të planetëve te Dashi, të cilët na imponojnë një fazë apo cikël të ri.
Dje patëm kalimin e Mërkurit te Dashi, ndërsa nesër kemi Hënën e Re po te Dashi, ku ndodhen edhe Neptuni e Saturni me Diellin. Kjo e bën ngarkesën emocionale shumë të lartë deri të martën e javës që vjen.
Kjo Hënë e Re do të na detyrojë të nisim me ndërgjegje një cikël të ri, duke lënë pas mënyrën se si kemi funksionuar deri më sot.
Ose do ta kuptojmë vetë që ndryshimi është i domosdoshëm, ose rrethanat do të na detyrojnë të pozicionohemi ndryshe. Mësimet që kemi marrë nga viti 2014 e sidomos nga 2018 deri tani lidhur me humbjet, dhimbjet, zhgënjimet dhe ekonominë duhet të na shërbejnë si bazë për këtë fillim të ri.
Kjo periudhë kërkon riorganizim në:
Çështjet e pronësisë dhe ekonomisë. Raportet me sistemet bankare. Formatimin e dokumenteve dhe shkresave zyrtare. Kjo fazë intensive nis tani dhe përfundon në pranverën e vitit të ardhshëm, kur gjërat do të jenë të kopsitura plotësisht.
Parashikimi për shenjat:
Dashi: Duhet organizim i fortë, racionalitet dhe seriozitet në gjykim. Komunikimi duhet të jetë i zbutur dhe jo imponues. Hëna e Re do t’u hapë rrugë projektimeve të reja profesionale.
Demi: Fokusohuni te dashuria dhe shëndeti, që janë dy gjërat më të rëndësishme për ju. Kontrollet mjekësore duhet të jenë të mirëplanifikuara.
Binjakët: Imponohet një ndryshim afatgjatë në këndvështrim. Duhet të gjeni saktësinë dhe qëndrueshmërinë, sepse gjërat sipërfaqësore mund të rrëzohen.
Gaforrja: Periudhë intensive profesionale. Keni nevojë për mendim serioz dhe bashkëpunim me ekspertë. Duhet të menaxhoni stresin që të mos ndiheni të mbingarkuar.
Luani: Priten transformime të rëndësishme në karrierë dhe status. Megjithatë, keni ende disa çështje për të zgjidhur përpara se të ndjeni plotësisht ritmin e ndryshimit.
Virgjëresha: Tregoni kujdes në komunikimin profesional. Shmangni tonet imponuese ose të prera, pasi dëmi në marrëdhënie mund të jetë i gjatë. Periudha deri në fund të majit është kyçe për projektet tuaja.
Peshorja: Zhvillime shumë të mira në bashkëpunime. Kujdes nga njerëzit që tentojnë të dominojnë; zgjidhni partnerë që ju trajtojnë si të barabartë.
Akrepi: Ndryshoni këndvështrimin në raportet familjare dhe erotike. Kujtoni se “liria juaj mbaron aty ku shkelet liria e tjetrit”. Kjo do t’ju sjellë lumturi dhe ekuilibër.
Shigjetari: Jeni gati për t’u përshtatur me kushtet e reja. Në punë ndjesitë janë pozitive, ndërsa në dashuri do të jeni më seriozë. Mbyllni detyrimet ekonomike brenda 14 ditëve të ardhshme.
Bricjapi: Kërkohet organizim i mirëmenduar dhe durim. Përqendrohuni në dy drejtime: karriera dhe siguria ekonomike.
Ujori: Mund të keni disa shqetësime të vogla me të rinjtë e familjes deri të martën. Afatgjatë, do të keni transformime shumë të mira sociale përmes përzgjedhjes së shoqërisë së duhur.
Peshqit: Duhet të ndryshoni mënyrën se si funksiononi, duke kontrolluar emocionet. Racionaliteti është këshilla kryesore. Fillon një periudhë stabiliteti, ndonëse mund të ndihet pak e zhveshur nga idealizmi./vizionplus

