Personi që shihni në foto është Ilir Berisha, 35-vjeçari i cili humbi jetën tragjikisht këtë të enjte së bashku me dy fëmijët e tij të mitur, vajzën dhe djalin, përkatësisht të moshave 9 dhe 12 vjeç.
Sipas asaj që mediat vendase raportojnë, mësohet se ngjarja e rëndë ka ndodhur në banesën e tyre në lagjen “Mirdita” në Malishevë, ku tre anëtarë të së njëjtës familje humbën jetën si pasojë e një zjarri. Dyshohet se në momentin e shpërthimit të flakëve, 35-vjeçari së bashku me dy fëmijët e tij kanë qenë në gjumë brenda banesës, duke mos pasur mundësi të reagojnë në kohë.
Në momentin e tragjedisë në banesë ndodhej vetëm Ilir Berisha së bashku me dy fëmijët, vajzën Nailen dhe djalin, Kujtimin, ndërkohë që bashkëshortja dhe tre fëmijët e tjerë nuk ishin aty.

Dyshimet e para flasin se zjarri mund të ketë ardhur si pasojë e shpërthimit të bombulës, por nuk përjashtohet as problemet me instalimet elektrike, megjithatë autoritetet janë duke punuar më për të hedhur më tepër dritë mbi shkaqet e sakta.
Ngjarja ka tronditur thellë Komunën e Malishevës dhe më gjerë. Ilir Berisha, me origjinë nga Gurbardhi dhe banues prej vitesh në Malishevë, përshkruhet si një familjar i përkushtuar, ndërsa humbja e tij dhe e dy fëmijëve ka lënë pas një dhimbje të madhe tek të afërmit dhe komuniteti.

Për këtë tragjedi ka reaguar edhe Kryetarja e Kuvendit dhe njëkohësisht ushtruese e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, e cila shprehu dhimbjen e saj për këtë tragjedi.
“Me dhimbje të thellë mora lajmin për humbjen tragjike të një babai dhe dy fëmijëve nga zjarri që ndodhi sot në Malishevë. Në këto çaste të rënda, shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen dhe të afërmit e viktimave. Ndajmë dhimbjen me ta dhe lutemi që të gjejnë forcë për ta përballuar këtë humbje të rëndë”, shkruan Haxhiu.

