Pëllumb Pilinçi është një nga personazhet më të pazakontë të skenës publike shqiptare, i cili në vitin 2020, në moshën 75-vjeçare, u shfaq për herë të parë si politikan, duke krijuar partinë “Shpresa” dhe duke u prezantuar në studio televizive si një figurë me lidhje të posaçme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Por pas këtij imazhi të ndërtuar me emrin e Amerikës, ngrihen dyshime serioze se Pilinçi ka krijuar një narrativë të rreme politike për të fituar besimin e shqiptarëve të diasporës, të cilët, sipas denoncimeve publike, e kanë mbështetur dhe sponsorizuar duke besuar se ai ishte një figurë me ndikim real amerikan.
Pilinçi është shfaqur vazhdimisht si një lloj “i dërguari i Amerikës”, duke krijuar përshtypjen se pas tij qëndronte një mbështetje politike, diplomatike apo institucionale amerikane. Deri më sot, nuk është bërë publik asnjë dokument zyrtar që të provojë se ai ka pasur ndonjë mandat, autorizim apo përfaqësim nga ndonjë institucion amerikan.
Kjo mënyrë prezantimi nuk është thjesht propagandë politike. Ajo ka shërbyer si mekanizëm për të bindur shqiptarë të diasporës që ta financojnë, t’a mbështesin dhe t’a trajtojnë si një figurë me peshë të posaçme. Në këtë pikë, çështja nuk mbetet më vetëm në nivelin e një personazhi komik televiziv, por merr të një skeme mashtrimi financiar.
Diaspora shqiptare është një komunitet që ka sakrifikuar për vite me radhë, ka ndihmuar familjet, ka mbështetur Shqipërinë dhe ka ruajtur lidhjen me vendin përmes punës dhe kursimeve të veta. Prandaj, çdo përdorim i besimit të saj për të financuar projekte personale, luks privat apo struktura politike imagjinare është një abuzim i rëndë me ndjenjat dhe sakrificën e shqiptarëve jashtë vendit.
Pilinçi shijon një jetë luksi të mbështetur nga shqiptarë të diasporës, të cilët janë vendosur në pozicion besimi përmes idesë se ai ishte “njeriu i Amerikës” dhe se pas tij qëndronte një projekt i madh politik. Nëse këto pretendime konfirmohen, atëherë kemi të bëjmë me një skemë të pastër përdorimi të diasporës si burim financimi për një projekt pa bazë institucionale, pa mandat politik dhe pa transparencë.
Pilinçi nuk ka dhënë deri më sot asnjë transparencë të plotë publike mbi burimet e financimit, mbi donacionet e marra, mbi shpenzimet e kryera, mbi personat që e kanë sponsorizuar dhe mbi mënyrën se si janë përdorur fondet e mbledhura nga mbështetësit e tij.
Kjo mungesë transparence është edhe më e rëndë kur bëhet fjalë për një person që pretendon të ketë rol publik dhe politik. Në të njëjtën kohë, Pilinçi ka përdorur edhe gjuhë kërcënuese ndaj figurave të njohura politike shqiptare dhe amerikane, si Richard Grenell, Donald Trump, dhe dy politikanëve shqiptar si Sali Berisha dhe Edi Rama, duke u shprehur se do t’i “tërhiqte zvarrë”.
Kulmi i kësaj farse është krijimi i të ashtuquajturës “qeveri analoge”, ku Pëllumb Pilinçi është vetëshpallur kryeministër. Kjo “qeveri” nuk ka asnjë bazë kushtetuese, asnjë mbështetje ligjore dhe asnjë njohje institucionale. Në Republikën e Shqipërisë, qeveria formohet vetëm sipas Kushtetutës, jo me vetëshpallje personale dhe me struktura paralele të ngritura për konsum publik.
Një tjetër element që e bën këtë histori edhe më të rëndë janë të dhënat për dënimet në drejtësinë amerikane të personave të afërt familjarë të Pëllumb Pilinçit. Sipas të dhënave të referuara, Pëllumb Pilinçi është vëllai i Alfons Pilinçit, i dënuar nga drejtësia amerikane, në shtetin e New Jersey, me 3 vite burg për mashtrim fiskal.
Po ashtu, sipas të njëjtave të dhëna, Shuaip Pilinçi është babai i Pëllumb Pilinçit, i dënuar nga drejtësia amerikane me 9 vite burg për tentativë vrasjeje dhe plaçkitje, gjithashtu në shtetin e Neë Jersey. Vetë Pëllumb Piliçi është hetuar për trafik droge në Zvicër.
Këto të dhëna janë me interes publik. Edhe sepse përgjegjësia penale e familjarëve nuk kalon automatikisht tek Pëllumb Pilinçi, ky i fundit ka ndërtuar figurën e tij publike mbi moralin amerikan, mbi besueshmërinë amerikane dhe mbi pretendimin se përfaqëson një frymë apo mbështetje të posaçme nga Amerika. Kur një person kërkon besim politik dhe financiar duke përdorur emrin e Amerikës, publiku ka të drejtë të dijë të vërtetën e plotë mbi profilin që ai ka ndërtuar.
Në këtë histori, pyetja kryesore nuk është vetëm kush është Pëllumb Pilinçi, por sa shqiptarë të diasporës janë bindur, janë përdorur apo janë mashtruar përmes këtij imazhi? Sa para janë dhënë? Kush i ka administruar? Për çfarë janë përdorur? A ka pasur llogaridhënie? A ka pasur dokumente? A ka pasur transparencë? Apo gjithçka është ndërtuar mbi fjalë, studio televizive, tituj të vetëshpallur dhe premtime të mëdha?
Këto pyetje kërkojnë përgjigje publike. Çdo shqiptar i diasporës që ka kontribuar ka të drejtë të dijë nëse paratë e tij janë përdorur për një projekt real politik apo për të mbajtur në këmbë një mit personal. Çdo mbështetës ka të drejtë të dijë nëse është informuar drejt apo nëse është vendosur përballë një narrative të sajuar.
Deri atëherë, çdo paraqitje e tij si “njeriu i Amerikës” duhet parë me dyshim serioz. Çdo deklaratë duhet kërkuar me dokumente. Çdo sponsorizim nga diaspora duhet verifikuar. Sepse diaspora shqiptare nuk mund të përdoret si arkë financiare për karriera politike të ndërtuara mbi iluzione, mbi vetëshpallje dhe mbi emrin e Amerikës.
