Skip to content

Pas ngjarjes tragjike të nënës që humbi jetën pasi lindi dy fëmijët, një tjetër histori tronditëse / “Ja çfarë ndodhi me vajzën time”

Një reagim i fortë dhe tronditës ka ardhur pas ngjarjes së rëndë në Shkodër, ku një nënë humbi jetën pasi solli në jetë dy fëmijët e saj.

Në një rrëfim prekës dhe të mbushur me dhimbje, Shpresa Drrasati ndan historinë e saj personale, duke ngritur shqetësime serioze mbi neglizhencën në sistemin shëndetësor dhe duke bërë thirrje për më shumë përgjegjësi ndaj jetës së pacientëve.

Prej disa vitesh Drrasati jeton jashtë Shqipërisë ndërsa njihet si organizatore eventesh në kohëm kur jetoi në Shkodër.

Ja statusi i plotë i Drrasatit:

Historia ime: Një kalvar vuajtjesh midis neglizhencës dhe mbijetesës

Në vitin 2012, në Shkodër, po bëja një eko gjatë shtatzënisë. Edhe pse pa shkollë mjekësie, pashë një vijë të kuqe në monitor që nuk më pëlqeu.

E pyeta mjekun se çfarë ishte, pasi dija që ngjyrat duhet të ishin ndryshe, por përgjigjja e tij ishte mospërfillëse: “Asgjë nuk është, por sytë i paske shumë të mprehtë”.

Ai kishte mendjen te radha e pacientëve dhe te pagesa, ndërsa unë u nisa për shtëpi me një parandjenjë që nuk më linte rehat.

Në orën 22:00 të asaj darke, fillova të enjtesha në këmbë dhe në bark. Megjithatë, duke besuar te fjala e mjekut se “vajza është mirë”, u përpoqa të duroja. Kalova një natë mes dhimbjeve dhe fryrjes, derisa në orën 6 të mëngjesit, sapo u ngrita të ndërroja djalin tim, Erglisin, pësova një hemorragji të pandalshme.

Mbërrita në spital në gjendje kritike. Mjekët më thanë se duhej të hyja urgjent në sallë për të hequr fëmijën, pasi po më rrezikohej jeta. Por unë, si një nënë që vendos vetë për frytin e saj, u thashë: “Nëse nuk shpëtoni vajzën, atëherë le të vdesim të dyja!” Jeta po më fikej çdo sekondë.

Në ato momente ku jeta ime varej në fije të periit, dua të falënderoj me shpirt vëllezërit e mi. Ata nuk ngituan për asnjë sekondë, por dhuruan gjakun e tyre që unë të mund të jetoja. Pa sakrificën dhe dashurinë e tyre, unë sot nuk do të isha këtu.

Falë tyre dhe duarve të mrekullueshme të Dr. Shpresimit dhe Dr. Dritanit, të cilët nuk do t’i harroj kurrë, unë dhe Estrelia ime ia dolëm. Ajo lindi vetëm 27 javëshe. Na thanë se vajza kishte vetëm një orë jetë, ndaj me dorën mbi plagën e operacionit, u nisëm me urgjencë drejt Tiranës, te spitali “Mbretëresha Geraldinë”.

Aty dua të falënderoj pafund Drejtoreshën dhe gjithë stafin e mrekullueshëm të Pediatrisë. Ata ishin ata që i kthyen frymën vajzës sime dhe treguan një kujdes njerëzor e profesional jo vetëm për Estrelian, por edhe për mua. Falë tyre, vajza doli nga intubimi me peshë 2.579 kg, me shikim dhe dëgjim të plotë.

Por kalvari i vuajtjeve rifilloi pas dy muajsh te “Nënë Tereza”. Aty, nga pakujdesia me maskën e oksigjenit që ishte për të rritur, sytë e saj u dëmtuan përgjithmonë. Kur i kërkova doktoreshës kujdes, m’u përgjigj: “Mos je gjë pediatre ti?”. Nga ajo sallë doli një vajzë 100% e verbër.

Kur u kthyem në shtëpi, mora një elektrik dore, fika dritat dhe ia drejtova sytë Estrelias. Ajo nuk reagoi. Desha të hidhesha nga ballkoni, por ishte zëri i djalit tim, Erglisit, që më mbajti lidhur me jetën. Falë Dr. Astrit Becit, arritëm të shkonim në Itali, por retina ishte djegur totalisht.

Sot, pas gjithë këtyre viteve, pyes veten: A do të bëhet ndonjëherë Shqipëria me mjekë që kuptojnë se jeta e njeriut vlen më shumë se çdo thesar?

Këtë histori po e ndaj si një dëshmi force. Për të gjitha nënat që nuk dorëzohen dhe si një këmbanë alarmi për ata mjekë që harrojnë betimin e tyre. Unë dhe Estrelia po ecim përpara, e rrethuar nga dashuria e familjes që nuk më la kurrë vetëm.

Published inSHQIPERI