Një lajm i trishtë ka ardhur nga Konispoli! Biznesmeni i njohur, Fatmir Shero ka ndërruar jetë, duke lënë pas një dhimbje të madhe te të gjithë ata që e njohën dhe bashkëpunuan me të.
Lajmi i kobshëm për ndarjen e tij nga jeta është bërë publik nga i biri, Arjol Shero. Përmes një postimi në rrjetet sociale ai ka ndarë dhimbjen e thellë për humbjen e të atit dhe ka bërë me dije edhe detajet e ceremonisë mortore.
“Me hidhërim të thellë njoftoj ndarjen nga jeta të babait tim të dashur, Fatmir Shero. Varrimi do të bëhet ditën e enjte, më 23 prill, në orën 10:00, në varrezat e Vlorës. Miq, shokë dhe të afërm janë të mirëpritur të na gjenden pranë në këtë dhimbje të madhe. Zoti e mëshiroftë dhe e pastë në kujdesin e Tij”, shkruan ai.
Ndarja nga jeta e Fatmir Sheros vjen si një goditje e rëndë për Konispolin dhe zonën përreth, ku ai njihej si një sipërmarrës i suksesshëm dhe një njeri i përkushtuar ndaj komunitetit. I lindur dhe rritur në këtë qytet, ai nuk u shkëput kurrë nga vendlindja, duke kontribuar ndër vite si në administratë, ashtu edhe në fushën e biznesit, ku investimet e tij ndikuan drejtpërdrejt në zhvillimin e zonës.
Përtej angazhimit profesional, Shero do të kujtohet si një njeri i thjeshtë, i drejtpërdrejtë dhe gjithmonë pranë njerëzve në nevojë. Për shumë familje dhe bashkëqytetarë, ai ishte një mbështetje e rëndësishme dhe një zë i fortë për çështjet e komunitetit. Në zgjedhjet vendore të vitit 2023, ai kandidoi për kryetar bashkie në Konispol, duke dëshmuar angazhimin e tij për të kontribuar edhe në jetën publike dhe për të sjellë ndryshim në qytetin e tij.
Lidhur me këtë humbje ka reaguar edhe deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, e cila ka shprehur dhimbjen për ndarjen e parakohshme nga jeta të Fatmir Sheros. PËrmes rreshtave, Zhupa e cila edhe në rrjetet sociale është parë teksa ka ndarë shumë biseda me biznesmenin si dhe përgjatë gjithë rrugëtimit të tij në politikë i ka qëndruar afër, e ka përshkruar atë si një njeri të përkushtuar, biznesmen të suksesshëm dhe mbi të gjitha një njeri që i qëndroi gjithmonë pranë komunitetit të tij.

“Me hidhërim të thellë mora vesh lajmin për ndarjen e parakohshme nga jeta të Fatmir Sheros. Një lajm që na tronditi të gjithëve dhe që lë pas një boshllëk të madh tek familja, miqtë dhe të gjithë ata që patën fatin ta njohin dhe të bashkëpunojnë.
Fatmiri do të kujtohet si një njeri i përkushtuar, biznesmen i suksesshëm, familjar model dhe një zë i rëndësishëm në komunitetin e tij. Kandidat i opozitës për kryetar bashkie në Konispol në vitin 2023, ai dha shembullin e një qytetari që beson dhe lufton për qytetin e tij.
Në takimin tonë në nëntor, ai ishte i shqetësuar për situatën dhe fushatën dizinformuese kundër mandarinave vendase. Nuk mund ta imagjinoja kurrë që ai do të ishte takimi ynë i fundit. Ngushëllimet më të sinqerta familjes, të afërmve, miqve, shokëve dhe bashkëpunëtorëve. U prehtë në paqe dhe qoftë i parajsës”, shkruan Zhupa.

